Katër ditë pas ngjarjes tragjike në Tiranë, ku katër persona, përfshirë fëmijët, mbetën të plagosur nga një atentat, hetimet për të zbuluar autorët dhe motivet e sulmit janë ende në fazën e parë. Dy atentatorët, të armatosur me kallashnikovë, udhëtuan rreth 8 kilometra nga vendi i krimit, deri në fshatin Fikas, ku braktisën motorin pa numër shasie dhe i vunë flakën. Armët, dy kallashnikovët, ende nuk janë gjetur.
Motorri Yamaha i vitit 1998, i përdorur gjatë sulmit, është gjetur pa numra shasie, dhe policia po shpreson që të mund të identifikojë autorët përmes analizës së karakteristikave të tjera të mjetit. Hetuesit dyshojnë se një person i tretë mund të ketë ndihmuar autorët të largohen nga Fikasi, dhe po përdoren kamerat e sigurisë për të ndjekur rrugën që ata kanë ndjekur pas ngjarjes.
Nga hetimet është zbuluar se autorët kishin nisur udhëtimin nga fshati Vishnjë, kaluan në Picallë dhe më pas mbërritën në Lundër, ku qëndruan për rreth pesë minuta. Ndërkohë, në rrugë u shfaq një mjet G-Class që udhëtonte me dy vëllezërit Demiraj dhe miqtë e tyre, të cilët u plagosën nga breshëria e kallashnikovëve.
Për motivet e sulmit, policia po shqyrton dy mundësi: një ngatërrim të objektivit të sulmit, si dhe një mundësi konflikti të pronarit të kompanisë Pelikani Security. Aktualisht, po verifikohen të gjitha makinat e ngjashme me atë që u përfshi në atentat, si dhe automjetet që lëvizin në unazën lindore të Tiranës, ku ndodhi ngjarja.