Pas dy atentateve të bujshme të ndodhura gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme të cilat përgjaken rrugët e Lezhës dhe Tiranës, mësohet se ka dhënë dëshminë e saj në polici gruaja e Roan Brahimit i njohur ndryshe si “SIDI”.
Burimet bëjnë me dije se para hetuesve ajo ka thënë se nuk e ka idenë se kush mund të jenë autorët e kësaj ngjarjeje.
“Unë nuk kam probleme me askënd. Nuk e përjashtoj mundësinë që jam në shënjestër prej konflikteve të bashkëshortit tim. Por nuk e kam idenë se kush mund të jenë autorët. Gjatë kohës së atentatit kam qenë në Tiranë dhe jo në Lezhë. Nuk i kam marrëdhëniet e mira me familjarët e Roanit” dëshmoi gruaja e Roan Brahimit.
Mirëpo dyshohet se atentati është organizuar nga njerëz të bosit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj.
Kjo pasi ky i fundit me Roan Brahimi, i cili u ekzektua në prag të Vigjiljeve të Pashkëve të vitit të shkuar, kanë patur armiqësi mes tyre.
Nga dëshmia e saj, gruaja e Brahimit ka lënë të nënkuptohet se atentatet e djeshme u organizuan për të eliminuar atë për rrjedhojë të konflikteve që Roan Brahimi ka lënë të hapura.
Kujtojmë se nga atenati i ndodhur në zonën e Pllanës së Lezhës, mbeti i vrarë babai i Sidorel Prendit (Roan Brahimit), biznesmeni i njohur lezhjan, Gjovalin Prendi.
Ndërsa në atentatin e zhvilluar në Tiranë mbetën të plagosur gabimisht 4 persona, mes tyre dhe dy të mitur. Në këtë atentat dyshohet se u ngatërrua shënjestra. Policia ka ngritur dyshimet se atentati u organizua për të zhdukur gruan e Roan Brahimit, e cila lëvizte me një mjet tip G-Class.
Ishte ngatërresa e mjetit që çoi në plagosjen gabimisht të personave të tjerë që nuk kanë lidhje me ngjarjen./ Radar.al


