Studiuesit në Spitalin e Fëmijëve ‘Johns Hopkins’ kanë identifikuar një mënyrë për të aktivizuar sistemin imunitar të trupit për të njohur dhe shkatërruar qelizat kancerogjene që më parë ishin të padukshme.
Studimi, i botuar në ‘Nature Immunology’, tregon se stimuluar dy rrugë kryesore imunitare, shkencëtarët arritën të transformojnë tumoret rezistente ndaj sistemit imunitar në tumore “të nxehta ndaj imunitetit”, të afta të sulmohen nga mbrojtja natyrore e trupit. Eksperimentet u kryen në modele minjsh me kancer të gjirit, pankreasit dhe muskujve.
“Duke ndërtuar infrastrukturën e duhur imune brenda tumoreve, ne mund të fuqizojmë mbrojtjen e vetë pacientit, si të qelizave T ashtu edhe të qelizave B, kundër rritjes së kancerit, rikthimit dhe metastazës”, shprehet Masanobu Komatsu, autori kryesor i studimit.
Studiuesit u përqendruan në forcimin e strukturave limfoide terciare (TLS), grumbuj qelizash imune që organizojnë sulmet ndaj tumorit. Duke përdorur dy molekula imunoaktive, ata rritën qelizat T vrasëse, formuan enë të reja gjaku që lejuan qelizat imune të depërtojnë dhe prodhuan antitrupa që synojnë qelizat tumorale.
Qelizat B u transformuan në qeliza plazme dhe qeliza kujtese, duke ndihmuar sistemin imunitar të njohë dhe luftojë kancerin në rast rikthimi. Trajtimi gjithashtu rriti qelizat T ndihmëse dhe qelizat T të kujtesës, duke përmirësuar imunitetin humoral dhe ai i ndërmjetësuar nga qelizat.
Rezultatet sugjerojnë se kombinimi i dy sinjaleve imunoaktive mund të rrisë efektivitetin e trajtimeve ekzistuese, përfshirë kimioterapinë dhe imunoterapitë, në lloje të ndryshme të kancerit.
Hulumtimi u financua nga Instituti Kombëtar i Kancerit (NIH), Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së dhe Departamenti i Shëndetësisë i Floridës.

