Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, ka deklaruar se vendi duhet të shqyrtojë zhvillimin e një programi kombëtar për armë bërthamore, duke e konsideruar këtë si një domosdoshmëri përballë kërcënimit që, sipas tij, paraqet Rusia.
Në një intervistë për Polsat News, Nawrocki u shpreh se “rruga drejt një aftësie bërthamore polake, me respekt të plotë për rregulloret ndërkombëtare, është rruga që duhet të ndjekim”. Ai theksoi se pozicioni gjeografik i Polonisë – në kufi me Ukrainën dhe Bjellorusinë – kërkon forcim të mëtejshëm të sigurisë kombëtare. Megjithatë, presidenti nuk dha detaje konkrete apo një afat kohor për nisjen e një programi të tillë.
Deklarata e tij ka shkaktuar reagime dhe debat brenda qeverisë. Ministri i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, e cilësoi çështjen e armëve bërthamore si “më e ndjeshmja nga të gjitha temat e ndjeshme”, duke theksuar se përpara çdo hapi konkret, Polonia duhet të forcojë kapacitetet e saj teknologjike dhe kërkimore.
Qëndrimi i Nawrockit shkon përtej deklaratave të ish-presidentit Andrzej Duda, i cili në vitin 2024 kishte sugjeruar mundësinë e strehimit të armëve bërthamore amerikane në territorin polak në kuadër të NATO, por pa folur për zhvillim të një arsenali kombëtar.
Polonia, anëtare e BE-së dhe NATO-s, është një nga mbështetëset më të forta të Ukrainës në planin politik dhe ushtarak. Aktualisht, Shtetet e Bashkuara ruajnë armë bërthamore në disa vende evropiane, përfshirë Gjermaninë, Holandën, Belgjikën, Italinë dhe Turqinë, megjithëse vendndodhjet e sakta nuk bëhen publike zyrtarisht.


