Presidenti Bajram Begaj dënoi sot veprimet e Rusisë pas shkeljes së hapësirës ajrore të Polonisë nga dronët rusë.
Në një njoftim për shtyp, Begaj shprehu mbështetje të plotë për Poloninë, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit brenda Aleancës përballë sfidave të sigurisë në Evropë:
“Shqipëria dënon shkeljen e hapësirës ajrore të Polonisë nga Rusia. Shprehim solidaritet të plotë me Poloninë dhe përshëndesim reagimin e saj, në bashkëpunim me NATO-n, për të parandaluar përshkallëzimin. Shqipëria mbetet e përkushtuar ndaj unitetit të Aleancës dhe garantimit të mbrojtjes kolektive të të gjithë aleatëve,” theksoi Begaj.
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, informoi se një “numër i madh” dronësh rusë u rrëzuan gjatë natës mbi hapësirën ajrore të vendit.
Mbrëmjen e djeshme, autoritetet polake mbyllën përkohësisht aeroportin Chopin të Varshavës dhe vunë mbrojtjen ajrore të vendit në gatishmëri të lartë, pas raportimeve për dronë rusë që hynin vazhdimisht në hapësirën ajrore polake gjatë një vale sulmesh ajrore kundër Ukrainës.


