Ish-kryeministri Sali Berisha, gjatë një deklarate për mediat para ambienteve të SPAK këtë të hënë, ka hedhur akuza të forta mbi funksionimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, duke e konsideruar të papranueshme mënyrën si, sipas tij, prokurorët ndërhyjnë në punën e gjykatësve.
“Kjo nuk ka të bëjë me asnjë gjykatës në mënyrë personale, por me një parim që nuk ekziston askund tjetër përveçse në Shqipëri,” tha Berisha. Ai theksoi se në kundërshtim me çdo standard ndërkombëtar, “gjykatësi që merr një dosje nga prokuroria është i nënshtruar ndaj mbikëqyrjes së prokurorit, që kontrollon madje edhe telefonin e tij”.
Sipas tij, ky realitet përbën një shkelje të rëndë të parimit të ndarjes së pushteteve dhe të pavarësisë së gjyqësorit. “Kjo është një drejtësi që, ndoshta, edhe në diktaturë nuk ka ekzistuar në këtë formë,” tha Berisha.
Ai deklaroi se do të vijojë betejën e tij “jo për veten, por për çdo qytetar shqiptar që ka të drejtë të gjykohet nga një sistem i paanshëm dhe i lirë nga ndikimet”.
Berisha shtoi gjithashtu se SPAK dhe prokurorët e tij, të cilët ai i quajti “skapistë”, po mbulojnë “krime monstruoze” me dokumente zyrtare dhe janë jashtë çdo kontrolli ligjor.
Duke e konsideruar këtë situatë të papranueshme, ai paralajmëroi se çështja do të shkojë deri në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg dhe do të jetë pjesë e diskutimeve në Këshillin e Europës.
“Zgjidhja është krijimi i trupave gjyqësore jashtë kontrollit të prokurorisë. Ky sistem është i kapur dhe do të marrë turpin e vet,” përfundoi Berisha.
Radar.al


