Në gjashtë bashki të vendit do të mbahen zgjedhje të parakohshme lokale pas largimit të kryebashkiakëve.
Tirana, Vlora, Berati, Mati, Tepelena dhe Cërriku, këto janë bashkitë ku qytetarët do të votojnë sërish.
Vëmendja më e madhe është në Tiranë, ku pas arrestimit të Erion Veliajt, socialistët do të kandidojnë Ogerta Manastirliun. E deleguar më herët si një nga tre drejtueset politike të kryeqytetit në zgjedhjet e 11 majit, Manastirliu – dikur vartëse e Edi Ramës në bashki – kthehet në fushatë për ta drejtuar vetë institucionin.
Në Vlorë, zgjedhjet pasojnë dorëheqjen e Ermal Dredhës, që u kritikua shpesh nga kryeministri Rama. Ish-diplomati njoftoi largimin pak orë para nisjes së Asamblesë së PS.
Në Berat, Mat dhe Tepelenë, zgjedhjet vijnë pasi kryebashkiakët e zgjedhur dy vite më parë kanë marrë mandate deputeti.
Ndërkohë, vetëm sot është bërë e ditur se edhe Cërriku shkon në zgjedhje, pasi kryebashkiaku aktual është emëruar ministër në qeverinë Rama.


