Hetimet rreth vrasjes makabre të studentes shqiptare në Itali, Ilaria Sula, po vijojnë më tej.
Mediat italiane raportojnë se së fundmi ka dhënë dëshminë e tij dhe një djalë, me të cilin Ilaria pak ditë para ngjarjes tragjike, ishte në njohje me të.
Bëhet fjalë pikërisht për djalin që Samson në një nga dëshmitë e tij ka thënë se e gjeti Ilarian duke shkëmbyer mesazhe me një mashkull tjetër.
Në një intervistë për La Reppublica, i riu zbulon se me Ilarian kishte folur shumë pak me mesazhe, ndërsa shton se nuk ia kishte dëgjuar asnjëherë zërin dhe as nuk ishin takuar nga afër.
“Ka qenë një njohje në fillim. Ne folëm pak dhe ajo më tregoi se ishte duke u ndarë nga një lidhje. Por vetëm kaq. Më pas, shoqet e Ilarias më telefonuan. Aty e kuptova që dikush u përpoq të më përfshinte dhe mua”, u shpreh i riu.
“Ishte një nga ato bisedat e shumta që mbeten të hapura. Nuk më bëri përshtypje që nuk folëm më,” shton më tej i riu.
Kujtojmë se Ilaria Sula u vra në mënyrë brutale nga ishi i saj në shtëpinë e këtij të fundit.


