Prokuroria e Tiranës ditën e sotme kërkoi dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për Princin Leka Zogu II, për incidentin e ndodhur pak muaj më parë në Oborrin Mbretëror.
Siç ju raportuam pak më parë, Prokuroria kërkoi 6 muaj heqje lirie për ish-bashkëshorten e Princit, Elia Zaharinë dhe për babanë e saj, Gjergj Zaharinë.
Dëshmia e plotë e Princ Lekës:
“Ka qenë në ora 15:20 minuta në banesën time në rrugën “Murat Toptani” rezidenca familjes mbretërore Nr.6, Tirane për të takuar vajzën time të moshës 3-vjeçare, pasi me ish-bashkëshorten shtetasen Elia Zogu jemi në proces divorci. Unë fillimisht jam takuar me Shefin e administratës së Oborrit shtetasin Syl Mulosmanaj të cilin e kam pyetur në lidhje me një dollap që ishte boshatisur në kundërshtim me marrëveshjen. Më pas unë i kam kërkuar Sylës që të më shoqëronte deri tek vajza ime për ta takuar, për të cilën me një marrëveshje për zgjidhje martese kemi rënë dakord me ish-bashkëshorten.
Unë jam ngjitur sipër së bashku me Sylën edhe kam gjetur vajzën time të vogël Geraldina Zogu e moshës 3-vjeç e cila ka qene ne shoqërinë e gjyshit të saj babit të ish-bashkëshortes shtetasit Gjergj Zaharia.
Në këtë momente unë kam përqafuar vajzën time edhe shtetasi Gjergj Zaharia ka filluar me fjale fyese e kërcënuese në drejtimin tim duke më thënë t’i duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua.
Reagimi im para kësaj situate ka qenë duke ju drejtuar Gjergjit që të mos më ofendoj e kërcënojë sidomos në prani të vajzës edhe i kam kërkuar që ai të largohet nga dhoma ku unë po qëndroja me vajzën.
Në këto momente situata ka agravuar shtetasi Gjergj Zaharia, më është afruar duke më shtyrë e goditur me shkelma tek këmbët e mia. Reagimi im ka qene vetëm mbrojtës, por Gjergji ka vazhduar duke më goditur edhe më ka grisur xhupin si edhe ka marrë edhe një send të fortë (statujë druri) me të cilin më ka goditur.”
Por nga ana e tij, Gjergj Zaharia pretendon se “ai është i moshuar dhe nuk qëndron dot në këmbë, kështu nuk ka mundësi që të dhunojë Princin e cili është 2 metra i gjatë”.
Zaharia akuzon Lekën se e ka dhunuar dhe e ka fyer me fjalë të rënda.
Dëshmia e Gjergj Zaharisë:
“Princi ishte i dhunshëm ndaj meje dhe më ka folur me një gjuhë të ashpër. Nuk e kam dhunuar, vetëm jam mbrojtur. Unë jam 70 e ca kusur vjeç dhe nuk qëndroj dot në këmbët e mia, jo më të godas me shkelma princin që është 2 metra i gjatë”.
Pas denoncimit për dhunë, të Princ Lekës dhe Elia Zaharias, ka reaguar Policia, cila thotë se të dyja palët pretendojnë se janë dhunuar nga njëri-tjetri dhe janë pajisur me urdhër mbrojtjeje.


