Detaje të reja kanë dalë në pah në lidhje me ngjarjen tragjike që ndodhi ditën e djeshme në fshatin Stanoc të Vushtrrisë, ku një 42-vjeçare u vra nga ish-pronari i saj, i cili më pas i dha fund dhe jetës së tij.
I afërmi i Nexhmies (viktimës), Rrahim Ajeti, në një lidhje direkt me “Shqipëria Live”, u shpreh se viktima nuk ka pasur konflikte me autorin, teksa tashmë po presin detaje rreth ngjarjes.
Gjatë fjalës së tij ai zbulon se në takimin mes pronarit dhe ish-punëtores së tij kanë qenë prezente dhe komshia e viktimës së bashku me vajzën e saj. Autori i ngjarjes mësohet se ka qëlluar dhe në drejtim të atyre por kanë shpëtuar dhe janë zhdukur nga vendngjarja.
“E morëm vesh lajmin nga qytetarët dhe policia që na njoftoi. Dolëm dhe shkuam në vendin e ngjarjes. Ajo punonte mbi 8 vite në atë furrë buke dhe para 6 muajsh e la punën aty dhe nisi në një tjetër kompani. Nuk ka pasur kurrë konflikt. Ngjarjen nuk e di si erdhi deri te vrasja dhe përse. Kanë punuar bashkërisht me bashkëshortin në të njëjtën furrë buke. As bashkëshorti s’ka pasur konflikt me pronarin, madje kishin marrëdhënie shumë të mirë. Nuk e dimë ende si shkoi situata deri në vrasje. E ndjera kishte tre fëmijë. Një djalë dhe dy vajza. Të tre ata e kanë marrë veshë lajmin. S’ke pasur ende asnjë komunikim me të afërmit e autorit. Nuk besoj se do kemi komunikim. Janë organet e drejtësisë që duhet të merren me ta. Nuk e njihnim shumë pronarin. Por ata kanë pasur raporte të mira me të. Bashkëshorti është pak më mirë, më i qetë, por i mërzitur. Me të ka qenë dhe një komshie bashkë me vajzën e saj. Ajo është lënduar duke ikur, sepse i ka gjuajtur dhe atyre, por fatmirësisht nuk i ka kapur. Ato janë ende në shok dhe nuk kemi folur ende me to. E kanë dhënë dëshminë në polici”, u shpreh Ajeti.

