Dhjetëra pasagjerë, drejtues automjetesh dhe kamionësh kanë mbetur të bllokuar për më shumë se tetë orë në tragetin e linjës Durrës-Bari, pasi një defekt teknik ka penguar zbritjen e mjeteve pas mbërritjes në port.
Sipas raportimeve, problemi është shfaqur te sistemi që mundëson daljen e automjeteve nga trageti, duke bërë të pamundur shkarkimin e tyre dhe duke shkaktuar vonesa të gjata për udhëtarët.
Në bord ndodhen automjete të shumta, përfshirë kamionë transporti, ndërsa pasagjerët vijojnë të presin zgjidhjen e situatës. Ekipet teknike po punojnë për riparimin e defektit dhe rikthimin e funksionimit normal të tragetit.
Ngjarja ka sjellë shqetësim dhe pakënaqësi te udhëtarët, të cilët janë detyruar të qëndrojnë për orë të tëra në pritje, ndërsa ende nuk dihet me saktësi se kur do të përfundojë procesi i zbritjes së automjeteve.
Autoritetet portuale dhe kompania e tragetit pritet të japin një njoftim zyrtar lidhur me shkaqet e defektit dhe afatin për normalizimin e situatës.


