Departamenti i Shtetit Amerikan publikoi më 9 dhjetor 2024 listën e zezë me emra të tjerë të shpallur non grata, zyrtarë, për shkak të korrupsionit. Nga Maqedonia e Veriut listës i është shtuar Artan Grubi, ish-zëvendëskryeministër nga radhët e BDI-së.
Gjithashtu, në listën e zezë është përfshirë edhe Enver Bexheti, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Maqedonisë së Veriut.
Pas lajmit ka reaguar Arban Grubi përmes një postimi në Facebook.
DASH shpall non-grata ish-zv.kryeministrin shqiptar dhe një gjyqtar: Të përfshirë në korrupsion
Ai thotë se ky vendim e ka prekur atë drejtpërdrejt dhe personalisht.
Grubi ka thënë se vazhdimisht është angazhuar për vlerat demokratike dhe këto vlera thotë se do ta përcjellin në çdo veprim të tij.
“Në mungesë të informacionit të detajuar, u njoha nga mediat për vendimin e sotëm të Departamentit të Shtetit. Si një person që jetën time publike ia kam kushtuar mbrojtjes së vlerave demokratike perëndimore dhe që gjithmonë kam punuar me përkushtim për anëtarësimin e vendit në NATO dhe Bashkimin Europian, ky vendim më prek drejtpërdrejt dhe personalisht”.
“Do të angazhohem me gjithë përkushtimin dhe maksimalisht, së bashku me miqtë dhe partnerët tanë, me të cilët kemi ndarë vizionin dhe punuar ndër vite për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike, për të zbardhur plotësisht këtë çështje. Transparenca dhe përkushtimi ndaj vlerave demokratike do të vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e çdo veprimi tim”, ka thënë Grubi.


