Një darkë festive e Krishtlindjes është shndërruar në një tragjedi të rëndë për një familje në Itali, ku një vajzë 15-vjeçare dhe nëna e saj kanë humbur jetën brenda pak orësh nga njëra-tjetra. Dyshimet e para flasin për një helmim të mundshëm ushqimor, i cili dyshohet se ka ardhur nga konsumimi i peshkut dhe ushqimeve të detit.
Vajza, Sara Di Vita, ndërroi jetë mbrëmjen e së shtunës rreth orës 22:30, ndërsa nëna e saj, Antonella Di Ielsi, vdiq disa orë më vonë, në mëngjesin e së dielës. Babai i vajzës, 55-vjeçari Gianni Di Vita, ndodhet ende i shtruar në spital nën kujdesin e mjekëve, ndërsa motra 20-vjeçare është e vetmja anëtare e familjes që nuk ka shfaqur simptoma.
Ngjarja ka ndodhur në Pietracatella, në provincën e Campobasso-s. Prej disa ditësh, anëtarët e familjes ishin ndier keq dhe ishin paraqitur dy herë në urgjencën e spitalit, ku fillimisht u dyshua për helmim nga ushqimi. Megjithatë, gjendja e tyre nuk u vlerësua si e rëndë dhe ata u dërguan në shtëpi.
Të shtunën pasdite, gjendja shëndetësore e 15-vjeçares u përkeqësua ndjeshëm, duke detyruar familjen të rikthehej urgjentisht në spital. Vajza u shtrua në repartin e kujdesit intensiv, por fatkeqësisht nuk arriti t’u mbijetojë komplikacioneve. Nëna e saj u shtrua gjithashtu, por ndërroi jetë disa orë më pas.
Sipas mediave vendase, familja kishte konsumuar gjatë darkës së Krishtlindjeve peshk, ushqime deti dhe midhje. Në darkë kishin marrë pjesë edhe persona të tjerë, të cilët nuk shfaqën asnjë shqetësim shëndetësor. Vetëm prindërit dhe vajza 15-vjeçare nisën të ndiheshin keq disa orë pas konsumimit të ushqimit, duke përjetuar dhimbje të forta barku dhe ngërçe.
Prokuroria e Campobasso-s ka urdhëruar kryerjen e autopsisë për të sqaruar shkaqet e sakta të vdekjes. Autoritetet po hetojnë nëse bëhet fjalë për helmim ushqimor, ndonjë toksinë specifike apo një intolerancë të rëndë ushqimore.
Kryebashkiaku i Pietracatella-s, Antonio Tommasone, ka shprehur tronditjen e komunitetit:
“Jemi pa fjalë përballë kësaj tragjedie. I gjithë qyteti është në shok. Në emër të komunitetit shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen.”
Antonella Di Ielsi punonte së bashku me bashkëshortin e saj, kontabilist, ndërsa Gianni Di Vita ka mbajtur edhe poste politike lokale në të kaluarën, përfshirë atë të kryetarit të bashkisë së Pietracatella-s.


