TIRANË– Komisioni Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi do të kërkojë leje për të thirrur si dëshmitarë në javët e ardhshme ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zëvendës/ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj dhe gjashtë zyrtarë të tjerë, që janë nën hetim nga SPAK.
Ndërkohë Komisioni ka caktuar datën 9 Tetor për ish-ministrin Beqaj dhe 20 Shtatorin për Rrjepajn për të marrë dëshmitë. Megjithatë si fillim duhet autorizimi i institucioneve të drejtësisë.
Në listën e dëshmitarëve që u miratuan sot nga anëtarët e mazhorancës dhe opozitës në komision, renditen ish-drejtorët e QSUT-së, drejtoresha aktuale e QSUT-së, ish-drejtoresha e spitalit Durrës, ish-drejtori i Spitalit të Traumës, të Spitalit Rajonal të Shkodrës, Spitalit Rajonal të Elbasanit, të Vlorës, drejtori i Maternitetit “Koço Glozheni”, anëtarët e grupit të punës së check up-it.


