Elvis Naçi, imami dhe predikuesi i njohur shqiptar, i ka dedikuar një letër emocionuese publikisht bashkëshortes së tij, Fatma Naçi, nëpërmjet të cilës i shpreh gjithë dashurinë dhe mirënjohjen për sakrificat që kanë kaluar së bashku ndër vite.
Përmes letrës, Elvisi tregon sa e veçantë është Fatma për të dhe sa e çmon çdo moment të kaluar bashkë.
E ftuar në emisionin “Goca dhe Gra,” Fatma ndau historinë e humbjes së fëmijës së parë dhe rrugëtimin e tyre drejt prindërimit.
Përgjatë fjalës së saj Fatma na zbuloi se pas kësaj humbjeje të madhe, mendoi se nuk do të mund të bëhej prapë nënë, ndërkohë që mjekët i kishin dhënë vetëm 50% mundësi.
“I lutesha Zotit, çdo ditë. Më pas pashë një ëndërr, dhe ndodhi mrekullia,” tha Fatma.
Nëpërmjet letrës, Elvisi tregon se sa e rëndësishme është dashuria e tyre, që po mbijeton për më shumë se 20 vite.
Letra e Plotë e Elvis Naçit për Fatmën
“E dashur Fatma,
Është e vështirë që vetëm në një letër të rrëfej atë që më thotë zemra. Por për pak çaste me zemër në duar po kujtoj se sa e veçantë je ti për mua, për familjen, për fëmijët.
Studimet thonë se dashuria zbehet pas 7 vitesh, 10 vitesh apo 15 vitesh… Ne i kemi rrëzuar këto sondazhe, jemi të lumtur bashkë prej 20 vitesh.
Është e vërtetë, ti je zbukurim i jetës për mua dhe unë e di se po ashtu jam zbukurimi i jetës për ty. Pika jote e fortë është sinqeriteti… Dhe defekti yt më i madh është që:
Punon më shumë se duhet, edhe për mua bën më shumë se duhet… Shpenzon në çdo projekt më shumë energji se duhet…
Sa herë shoh djalin tonë Firdeus, të shikoj ty, sa shumë të ngjan, sa shumë lumturi na ka sjellë… Por nuk duhet të mërzitesh sepse Ejmeni dhe Asja më ngjajnë mua… Kanë tiparet e mia fizike por të ngjajnë po aq shumë edhe ty, në karakter…
Datën 20 mars nuk e harroj, as aromën që merr shtëpia sa herë ti bën biskota për ne. Pa përtuar, me pak harxh, miell, gjalp e sheqer ëmbëlton të tërë anëtarët e familjes.
Kemi kaluar momente të vështira, kemi pasur humbje, kemi derdhur edhe lot, por në fund unë të kam qendruar dhe do të qëndroj gjithmonë besnik.
E veçanta është që në miliarda njerëz në tokë Zoti na bashkoi të dyve. Besoj se edhe kur të udhëtojmë në botën tjetër do të jemi përsëri bashkë.
P.S.
E di që kjo letër po lexohet në një grup grash të nderuara prandaj për të gjitha ju dhe publikut doja t’ju kujtoja se:
“Zoti ju krijoi në çift dhe krijoi ndërmjet çiftit dashuri dhe mëshirë, respekt, harmoni dhe paqe.”


