Close Menu
Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    Lajmet e fundit

    UNICEF: Dy shoferë të cisternave të ujit vri*en në Gaza gjatë shpërndarjes së ndihmave

    Manastirliu takon banorët e pallatit të djegur në Tiranë: Bonus qiraje dhe dëmshpërblim

    Shpërthim i fuqishëm në Gjermani/ Një i vdekur dhe disa të plagosur, policia heton pistën kriminale

    Facebook X (Twitter) Instagram
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    • Aktualitet
      • Aktualitet
      • Politike
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Fokus
    • Opinion
    • Lifestyle
      • Showbiz
      • Udhetim & Turizëm
      • Kulturë
      • Shëndet
      • Horoskopi
      • Dekor
      • Trende
      • Teknologji
    • Botë
      • Kosovë
      • Rajon
      • Botë
    • Sport
    • Troç
    Youtube
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    You are at:Home
    Botë

    Çfarë dihet deri tani për marrëveshjen me Iranin?

    April 9, 2026

    Lehtësimi që krijoi shpallja e një armëpushimi midis SHBA dhe Iranit po shoqërohet me pasiguri të konsiderueshme. Një ndër pyetjet kyçe është nëse Ngushtica me rëndësi strategjike e Hormuzit do të rihapet për lundrim.

    Për çfarë janë dakorduar të dyja palët?

    Pak para skadimit të ultimatumit të tij, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se, me kërkesë të Pakistanit, kishte pranuar një armëpushim dyjavor me Iranin. Nga ana e regjimit iranian, Këshilli Kombëtar i Sigurisë miratoi armëpushimin. Ministri i Jashtëm, Abbas Araghtschi, deklaroi, se do të hapet Ngushtica e Hormuzit, një korridor detar që luan një rol kyç për ekonominë botërore për shkak të transportit të naftës dhe gazit.

    Baza e marrëveshjes

    Baza e marrëveshjes është një plan me dhjetë pika, i cili i është dorëzuar Uashingtonit nga pala iraniane. Deri më tani, as Republika Islamike e Iranit dhe as Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kanë bërë zyrtarisht publik përmbajtjen e dokumentit.

    Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Tasnim, plani dhjetëpikësh përfshin kërkesën për ndalimin e përhershëm të veprimeve agresive. Iranit do t’i lejohej të ruante kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit dhe të vazhdonte pasurimin e uraniumit. Po ashtu, kërkohet edhe heqja e sanksioneve ndërkombëtare si dhe e masave ndëshkuese të vendosura nga Këshilli i Sigurimit i OKB‑së.

    Luftimet pritet të përfundojnë në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin. Izraeli megjithatë e mohoi këtë pikë, duke theksuar se marrëveshja nuk vlen për luftën kundër milicisë Hezbollah.

    Trump fillimisht e cilësoi marrëveshjen si një „bazë të qëndrueshme për negociata”. Sipas tij, pothuajse të gjitha pikat e mëparshme të konfliktit ishin zgjidhur. Megjithatë, mbi këtë vlerësim ka dyshime të konsiderueshme.

    Sipas raportimeve mediatike, qarkullojnë versione të ndryshme të planit dhjetëpikësh, një në anglisht dhe një në persisht (farsi). Agjencia e lajmeve Associated Press raporton se në versionin në farsi përmendet „pranimi i pasurimit të uraniumit”, ndërsa ky formulim mungon në versionin në anglisht.

    Një nga arsyetimet kryesore të Trumpit për ndërmarrjen e sulmeve kundër Iranit ishte ndalimi i programit bërthamor të vendit. Për këtë arsye, duket e pamundur që pala amerikane të pajtohet me këtë pikë në bisedimet e paqes që janë planifikuar aktualisht.

    Ndërkohë, Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, paralajmëroi në një konferencë për shtyp se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për sulme të mëtejshme kundër Iranit, nëse Teherani nuk dorëzon uraniumin e pasuruar. Për më tepër, presidenti amerikan kërcënoi, në një postim në platformën e tij Truth Social, se do të vendosë tarifa doganore ndaj të gjitha vendeve që në të ardhmen furnizojnë Iranin me armë.

    Çfarë po ndodh me Ngushticën e Hormuzit?

    Megjithëse ministri i Jashtëm i Iranit, Araghtschi, deklaroi se ngushtica detare midis Gjirit Persik dhe Gjirit të Omanit do të rihapej, ai e shoqëroi këtë njoftim me kushtin se një veprim i tillë do të bëhej „në koordinim me forcat e armatosura iraniane dhe duke marrë parasysh kufizimet teknike”.

    Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars, Irani e ka mbyllur përsëri ngushticën, si shenjë proteste ndaj sulmeve izraelite kundër Hezbollahut në Liban. Sipas këtyre informacioneve, vetëm dy cisterna nafte kanë arritur të kalojnë përmes ngushticës përpara se trafiku detar të pezullohej sërish.

    Sipas vlerësimit të udhëheqjes iraniane, Izraeli po shkel armëpushimin e koordinuar me Shtetet e Bashkuara përmes sulmeve të vazhdueshme kundër Hezbollahut.

    Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, shkroi në platformën X se armëpushimi vlen shprehimisht edhe për Libanin. Presidenti amerikan Donald Trump, në një intervistë telefonike për kanalin televiziv PBS, theksoi ndërkaq se Libani nuk është pjesë e marrëveshjes.

    Sipas raportimeve, po diskutohet mundësia që si Irani ashtu edhe Omani të vendosin në të ardhmen tarifa për anijet që kalojnë përmes ngushticës. Nga këndvështrimi i ekspertëve, fakti që Irani mund të ketë në dorë një mjet ndikimi mbi ekonominë botërore konsiderohet i rrezikshëm.

    „Vështirë se mund të imagjinohet që Shtetet e Bashkuara dhe bota do të pranonin një situatë në të cilën Irani mban kontrollin mbi një nyje kyçe energjetike për një kohë të pacaktuar. Kjo do të ishte një rezultat dukshëm më i keq sesa situata para luftës”, deklaroi Richard Fontaine nga qendra kërkimore me bazë në Uashington Center for a New American Security për gazetën The New York Times.

    Sa e qëndrueshme është marrëveshja?

    Shumë pika mbeten ende të paqarta, përfshirë edhe pyetjen nëse armëpushimi do të respektohet realisht dhe nëse do të hyjë në fuqi në mënyrë të qëndrueshme.

    Shtetet e Gjirit, Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, raportuan edhe në mëngjesin pas arritjes së marrëveshjes për sulme të ndërmarra nga Irani. U fol për një valë sulmesh iraniane, gjatë së cilës u interceptuan 28 dronë iranianë. Sulmet u konfirmuan edhe nga televizioni shtetëror iranian, ku u tha se ato ishin një reagim ndaj bombardimeve të mëparshme të objekteve iraniane të naftës në Gjirin Persik.

    Armëpushimi i rënë dakord mund të ofrojë një pauzë të përkohshme, por mbetet një gjendje e brishtë, deklaroi Marco Overhaus nga Fondacioni Shkencë dhe Politikë për NDR Info. Sipas tij, gjithçka varet nga fakti nëse Irani do të lejojë tani kalimin e anijeve tregtare përmes Ngushticës së Hormuzit.

    E qartë është se të dyja palët e paraqesin marrëveshjen si sukses, ndërsa Irani pritet të jetë ushtarakisht i dobësuar pas më shumë se një muaji lufte. Sipas vlerësimeve të ekspertëve, megjithatë, nuk mund të flitet ende për një fitore reale të Shteteve të Bashkuara – edhe duke pasur parasysh detajet e deritanishme të planit dhjetëpikësh.

    „Ajo që është arritur deri tani duket më tepër si një humbje strategjike për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha eksperti i sigurisë Carlo Masala për Deutschlandfunk. Në planin dhjetëpikësh, sipas tij, „ka shumë pak lëshime nga ana e Iranit ndaj kërkesave amerikane që nga fillimi”.

    Si pritet të vijojë më tej procesi?

    Bisedimet e para të drejtpërdrejta pritet të zhvillohen që të premten në Islamabad, kryeqytetin e Pakistanit. Kryeministri Shehbaz Sharif ka ftuar delegacione nga të dyja palët për të diskutuar një marrëveshje përfundimtare me synim zgjidhjen e konfliktit. Në këto bisedime mund të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Arabia Saudite, Turqia dhe Egjipti.

    Edhe krerë shtetesh dhe qeverish nga Evropa synojnë të angazhohen diplomatikisht. Qysh të mërkurën (038.04.2026), kryeministri britanik Keir Starmer u nis drejt rajonit të Gjirit për të zhvilluar bisedime me aleatët rajonalë lidhur me përpjekjet diplomatike për ruajtjen e armëpushimit.

    Gjithashtu, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Kaja Kallas, njoftoi se do të udhëtojë në rajon. Qeveria federale gjermane deklaroi se mbështet përpjekjet diplomatike. Sipas saj, Gjermania është në kontakt të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë. “Gjermania do të kontribuojë në mënyrën e duhur për të garantuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit”, thuhet në deklaratë./DW

    donald trump Irani marrëveshje me Iranin
    Share. Facebook WhatsApp
    Demo
    Postimet e reja

    UNICEF: Dy shoferë të cisternave të ujit vri*en në Gaza gjatë shpërndarjes së ndihmave

    April 18, 2026

    Manastirliu takon banorët e pallatit të djegur në Tiranë: Bonus qiraje dhe dëmshpërblim

    April 18, 2026

    Shpërthim i fuqishëm në Gjermani/ Një i vdekur dhe disa të plagosur, policia heton pistën kriminale

    April 18, 2026

    Bordi i Transparencës vendos çmimet e reja të karburanteve në Shqipëri, ulet nën 200 lekë nafta

    April 18, 2026
    Mos e humb
    Fokus April 5, 2026

    Evropa, Shqipëria dhe Berisha ‘në mes’

    Nga Flogert Muça Në diskursin politik shqiptar, sa herë që procesi i integrimit në Bashkimin…

    Rezerva strategjike e naftës, ose zahire për botën e re

    “Po pushton Tiranën”/ Pse Philipp Plein i adhuron shqiptarët? (VIDEO)

    Ish-shoqëruesi besnik i Fatos Nanos: Arben Ahmetaj, dy fjalë kam për ty

    Na ndiq
    • Facebook
    • Instagram
    • YouTube
    • TikTok
    RRETH NESH
    RRETH NESH

    Një shikim i thellë në botën e lajmeve, ku teknologjia dhe profesionalizmi takohen për të sjellë lajmet më të fundit dhe të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një burim i besueshëm për informacionin e saktë dhe analizat gjithëpërfshirëse.

    NIPT: M47705501A
    Email: radarlajme@gmail.com
    Kontakt: +355689008000

    HOROSKOPI

    Parashikimi i horoskopit 17 Prill, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

    Parashikimi i horoskopit 16 prill, ja çfarë kanë rezervuar yjet për ju sot

    Horoskopi për ditën e sotme, 15 Prill 2026

    Aleanca Etike e Medias
    © Radar.al. dizenjuar nga 1001solutions

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.