Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i akuzuar për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, ka folur në gjykatë lidhur me denoncuesin e koncesionit të sterilizimit, i cili aktualisht mban postin e Avokatit të Popullit Endrit Shabani.
Gjatë seancës gjyqësore, Beqaj deklaroi se do të kërkojë që Endri Shabani të thirret si dëshmitari i parë, duke argumentuar se ai ka bërë deklarime publike dhe ka paraqitur kallëzim, pavarësisht se, sipas tij, ishte në dijeni që hetimi ishte pushuar më herët.
Ish-ministri iu drejtua edhe deputetëve që votuan zgjedhjen e Avokatit të Popullit, duke u shprehur se ata janë të vetëdijshëm për vendimin e tyre. “Ajo që nuk më habiti ishte vota, por puthja para deputetëve”, deklaroi Beqaj, por u ndërpre nga trupi gjykues, i cili vlerësoi se deklaratat nuk kishin lidhje direkte me procesin gjyqësor.
Ilir Beqaj po gjykohet me procedurë të zakonshme, ndërsa tetë të pandehur të tjerë, mes tyre ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, janë gjykuar me procedurë të shkurtuar. Procesi ndaj Beqajt ka hasur vonesa për shkak të kërkesës së tij për të lexuar fashikujt e çështjes.
Për dosjen e sterilizimit, Beqaj kishte masën e detyrimit për paraqitje, ndërsa më vonë ai u arrestua në lidhje me një çështje tjetër të hetuar nga SPAK.

