Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati dha qëndrimin e tij mbi konfliktin e përshkallëzuar mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza, si dhe mbi perspektivën e paqes në Lindjen e Mesme.
Bushati theksoi se zgjidhja më e drejtë dhe më e qëndrueshme është ajo e krijimit të dy shteteve, duke shtuar se çdo alternativë tjetër vetëm sa do të thellonte tensionet. “Kur flasim për konfliktin në Lindjen e Mesme, nuk flasim vetëm për raportet mes Izraelit dhe Palestinës, por edhe për raportin e Izraelit me botën arabe”, tha ai në emisionin “Opinion”.
Sipas ish-ministrit, shumica e vendeve ndërkombëtare e mbështesin opsionin e dy shteteve. Edhe pse shtete si Gjermania dhe Italia nuk e kanë njohur formalisht Palestinën, ata janë të angazhuar në mbështetje të saj në iniciativa dhe forume ndërkombëtare, sidomos në momente kur situata në Gaza përkeqësohet.
Bushati paralajmëroi se zgjidhja nuk mund të vijë përmes qasjeve të ngushta apo ideve ekstremiste: “Nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet në Lindjen e Mesme, nëse secila palë mbron me fanatizëm vetëm idenë e vet ekstreme”.


