Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i është drejtuar Dhomës Kombëtare të Avokatisë me kërkesë për marrjen e masës disiplinore ndaj avokatit të Ilir Metës, Kujtim Cakranit. Shkak është bërë një telefonatë e transmetuar live në një studio televizive, e realizuar nga qelia përmes telefonit personal të avokatit.
Në shkresën e firmosur nga drejtori i Burgjeve, Klevis Qosja, theksohet se ngjarja ka ndodhur në tetor të një viti më parë dhe se është kryer në shkelje të ligjit “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve dhe të të Paraburgosurve”. Sipas ligjit, çdo komunikim i një të paraburgosuri, përfshirë telefonatat dhe takimet, duhet të miratohet paraprakisht nga prokurori i çështjes.
“Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka dhënë asnjë autorizim për këtë komunikim. Veprimi i ndërmarrë përbën një ndërhyrje të papranueshme në funksionimin normal të IEVP dhe cenon rëndë rendin dhe autoritetin e institucionit të paraburgimit”, thuhet në shkresë.
Më tej, theksohet se rasti krijon një precedent të rrezikshëm, duke shkelur hapur nenin 49 të ligjit nr. 81/2020 dhe duke cënuar normat e ushtrimit të detyrës së avokatit me integritet, etikë dhe përgjegjësi.


