Mbretëria e Bashkuar, në bashkëpunim me Norvegjinë, ka udhëhequr një operacion për të monitoruar dhe penguar nëndetëset ruse të dyshuara për “aktivitet të dëmshëm” pranë infrastrukturës nënujore në Atlantikun e Veriut.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, njoftoi se gjatë operacionit, që zgjati më shumë se një muaj, një fregatë, aeroplanë dhe qindra pjesëtarë të personelit ushtarak monitoruan një nëndetëse sulmuese ruse dhe dy nëndetëse spiune. Anijet ruse përfundimisht u larguan pas ndërhyrjes.
Healey theksoi se mesazhi i Britanisë për Rusinë ishte i qartë: “Ne e shohim aktivitetin tuaj mbi kabllot dhe tubacionet tona dhe ju duhet ta dini se çdo përpjekje për t’i dëmtuar ato nuk do të tolerohet dhe do të ketë pasoja serioze.”
Ai shtoi se Rusia, megjithëse synon të shpërqendrojë vëmendjen nga Lindja e Mesme, mbetet kërcënimi kryesor për Mbretërinë e Bashkuar dhe aleatët e saj, dhe Londra nuk do t’i heqë sytë nga veprimet e Vladimir Putinit.
Në fund të marsit, Britania kishte deklaruar se ushtria e saj ishte e gatshme të sekuestronte anijet e dyshuara si pjesë e asaj që njihet si “flota në hije” ruse, që transportonte naftë duke shkelur sanksionet ndërkombëtare të vendosura për shkak të agresionit në Ukrainë. Rusia thuhet se ka përdorur cisterna të vjetra me pronësi të errët për të shmangur sanksionet e BE-së, SHBA-së dhe grupit G7.


