Britania e Madhe, Italia dhe Japonia kanë nënshkruar një kontratë me vlerë 4.6 miliardë paund (rreth 6.1 miliardë dollarë) për projektimin e avionit të ri luftarak të gjeneratës së ardhshme, në kuadër të Programit Global të Aviacionit Luftarak (GCAP).
Projekti synon zhvillimin e një avioni stealth të teknologjisë së avancuar, i cili pritet të hyjë në shërbim deri në vitin 2035.
Avioni do të ndërtohet nga Edgewing, një sipërmarrje e përbashkët mes kompanive BAE Systems (Britani), Leonardo (Itali) dhe Japan Aircraft Industrial Enhancement Company.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, Luke Pollard, e cilësoi marrëveshjen si një moment kyç për projektin, duke theksuar se kontrata përcakton kërkesat teknike dhe fazat kryesore të testimit të avionit të ri.
Sipas tij, programi do të forcojë bashkëpunimin mes tre vendeve partnere, do të mbështesë mijëra vende pune të kualifikuara në Britaninë e Madhe dhe do t’i sigurojë Forcave Ajrore Mbretërore kapacitete moderne për dekadat e ardhshme.
Në strategjinë e re britanike për mbrojtjen, avioni GCAP do të operojë krahas flotës aktuale të avionëve Typhoon dhe F-35, si edhe në koordinim me mjete ajrore pa pilot, ndërsa Londra synon të rrisë përdorimin e teknologjive autonome dhe dronëve në operacionet ushtarake.
Qeveria britanike ka planifikuar një investim prej 8.6 miliardë paundësh për zhvillimin e programit GCAP gjatë katër viteve të ardhshme.


