Britania e Madhe po përgatitet të rrisë deri në 10 mijë paund stimujt financiarë për kriminelët e huaj dhe azilkërkuesit e refuzuar, përfshirë edhe shqiptarët, me qëllim nxitjen e largimit vullnetar nga vendi. Lajmi u konfirmua nga sekretarja e Brendshme, Shabana Mahmood, e cila tha se po shqyrtohet rritja e pagesave aktuale prej 3 mijë paundësh, për të ulur kostot e larta të akomodimit të të huajve pa dokumente.
Ministri i Sigurisë Kufitare, Alex Norris, deklaroi se shuma nuk do të kalojë 10 mijë paund, por konfirmoi se një program pilot është duke u shqyrtuar. Ai theksoi se çdo azilkërkues i kushton taksapaguesve rreth 30 mijë paund në vit për strehim, ushqim dhe shpenzime të tjera, ndërsa nxitja e kthimeve vullnetare është më pak e kushtueshme.
Për herë të parë, Norris zbuloi se familjet që refuzojnë stimujt do të deportohen me forcë – përfshirë edhe fëmijët e lindur në Britani, nëse prindërit e tyre janë caktuar për largim. Në mesin e tyre janë rreth 700 familje shqiptare me kërkesë azili të refuzuar, të cilat nuk janë larguar pavarësisht se Shqipëria është vend i sigurt dhe nënshkrues i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Deklaratat erdhën para mbërritjes së grupit të parë të emigrantëve në qendrën “Campsfield”, e cila është rihapur për të rritur ritmin e deportimeve.
Partia Laburiste deklaron se që prej ardhjes në pushtet të kryeministrit Keir Starmer, janë larguar rreth 50 mijë persona – kriminelë të huaj, azilkërkues të refuzuar dhe shkelës të ligjit të emigracionit.


