Detaje të reja kanë dalë në pah nga dosja “Metamorfoza”.
Siç dhe raportuam pak më parë, Jonida Babameto ish specialiste në zyrën e Interpol Tirana dhe Erzen Breçani ish zëvendës drejtuesi i policisë Tiranë kërkuan gjykim të zakonshëm.
Burimet bëjnë me dije se ky i fundit në sallën e gjyqit u shpreh se nuk mund të pranojë të gjykohet me provat e paraqitura nga SPAK.
“Unë dua të gjykohem me procedurën e zakonshme. E njoh shumë mirë hetimin dhe në dijeninë time, ky që është pas meje, Bujar Ajeti që e njoh që kur ishim fëmijë, më pas edhe tek RENEA, në dijeninë time nuk ka qenë ky person në kërkim nga shteti shqiptar. Unë kam arsyet e mia pse unë nuk e pranoj gjykimin e shkurtuar. Bujar Ajeti ka qenë i shoqëruar disa herë, ka kaluar kufirin me pasaportë. Unë kam ndjekur kriminelët gjithë jetën time, nuk kam përse të përkrah këtë kategori tani. Nuk mund ta pranoj që unë të gjykohem me këto prova që janë paraqitur. Për akuzën e “pastrimit të parave”, as më ka shkuar në mend dhe as kam pastruar para. SPAK thotë vetë që nuk kemi mundësi financiare dhe është e vërtetë, paratë për hidrocentralin ia kemi marrë vëllait që ka 25 vite, me disa biznese”, ka thënë Breçani.
Por prokurori Vladim Mara tha se: “Se Erzen Breçani ka përdorur një pin në aplikacionin Sky Ecc që më parë e ka përdorur bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani.”
Ndërkohë, gjykata i ka ndarë nga ky proces personat e tjerë që ndodhen ende në kërkim mes tyre djali i Erzen Breccanit, Eralbi, Ervin Mata, Artan Sulejmani dhe Bajram Grabova, të cilët janë shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej nëntorit të vitit 2023.
Disa nga të pandehurit, kërkuan ndarjen e çështjes nga të tjerët, kërkesë e cila nuk u pranua nga GJKKO.
Kujtojmë se hetimet për këtë dosje u mbyllën në 6 gusht të vitit 2024 nga prokurori Vladimir Mara.


