Një avion ushtarak hungarez, në të cilin udhëtonte ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó, nuk është lejuar të ulet në Banjallukë të mërkurën (26 nëntor). Vendimi u mor nga ministri i Mbrojtjes i Bosnjës dhe Hercegovinës, Zukan Helez, i cili tha se Budapesti ka mbështetur hapur politikat që cenojnë sovranitetin e Bosnjës.
Helez deklaroi se Hungaria nuk ka ofruar asnjë shpjegim zyrtar se pse Szijjártó ndodhej në avionin ushtarak që kërkonte të ulej në qytetin kryesor të Republikës Sërpska. Ai theksoi se qeveria hungareze, përfshirë kryeministrin Viktor Orbán, ka shprehur vazhdimisht mbështetje për Millorad Dodik, liderin serb të Bosnjës, i njohur për qëndrimet e tij separatiste.
“Detyra ime është të mbroj rendin kushtetues dhe interesat e Bosnjës. Për këtë arsye nuk e autorizova uljen e avionit, derisa të ketë transparencë të plotë dhe respekt ndaj shtetit tonë”, shkroi Helez në Facebook.
Szijjártó ndodhej më herët në Serbi për të diskutuar mënyrat se si Hungaria mund ta ndihmojë Beogradin pas pezullimit të furnizimeve me naftë të papërpunuar nga Kroacia, raportoi Radio Evropa e Lirë.
Ndërkohë, Dodik – i cili u largua nga posti i presidentit të Republikës Sërpska pasi u dënua për moszbatim të vendimeve të përfaqësuesit ndërkombëtar Christian Schmidt – vazhdon të mbështetet nga Orbán. Ai dhe aleati i tij, Sinisha Karan, fitues i zgjedhjeve të parakohshme presidenciale, u takuan me kryeministrin hungarez në Budapest në të njëjtën ditë.


