Mark Zuckerberg, president dhe CEO i kompanisë së mediave sociale Meta, ka pranuar për herë të parë se është detyruar të fshehë disa informacione rreth virusit gjatë pandemisë nga Covid-19.
Në një letër drejtuar Komitetit Gjyqësor të Dhomës së Përfaqësuesve ai shkruan se ekipet e tij ishin nën presion nga Shtëpia e Bardhë, e drejtuar nga administrata Biden për të censuruar disa përmbajtje mbi pandeminë Covid-19. Këtë e raporton CNN.
“Në vitin 2021, zyrtarë të lartë të administratës së Biden, përfshirë Shtëpinë e Bardhë, kanë ushtruar vazhdimisht presion ndaj ekipeve tona për muaj të tërë për të censuruar disa përmbajtje rreth Covid 19, duke përfshirë humorin dhe satirën, dhe kanë shprehur shumë zhgënjim me ekipet tona kur ne nuk pajtoheshim,” tha Zuckerberg.
Në letrën e tij drejtuar Komitetit Gjyqësor, Zuckerberg tha se presioni që ai ndjeu në vitin 2021 ishte “i gabuar” dhe se i erdhi keq që kompania e tij nuk ishte më e hapur.
“Siç u thashë ekipeve tona në atë kohë, unë besoj fuqishëm se ne nuk duhet të komprometojmë standardet tona të përmbajtjes për shkak të presionit nga çdo administratë në të dyja drejtimet, dhe ne jemi të gatshëm të përgjigjemi nëse diçka e tillë do të ndodhte përsëri,” shkroi Zuckerberg.
Përktheu Radar.al


