Presidenti Ylli Ujka dhe skuadra e tij, Besëlidhja, kanë shkruar një tjetër faqe të artë në historinë e basketbollit shqiptar, duke u shpallur kampionë të Shqipërisë për meshkuj për sezonin 2024-2025. Në një sezon ku dominimi ishte absolut, Besëlidhja konfirmoi epërsinë në çdo drejtim, duke fituar jo vetëm titullin kampion, por edhe Superkupën dhe Kupën e Shqipërisë, për të mbyllur edicionin me tripletë.
Finalja e tretë ndaj Teutës, e zhvilluar në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, ishte një tjetër demonstrim force nga skuadra e Lezhës. Me një rezultat spektakolar 134-64, djemtë e trajnerit Afrim Bilali nuk lanë asnjë dyshim për epërsinë e tyre. Pas fitores me +64 pikë në ndeshjen e parë dhe +52 në të dytën, fitorja me +70 pikë në takimin e fundit shënon një nga diferencat më të mëdha në historinë e finaleve të basketbollit shqiptar.
Në këtë sukses madhështor, nuk mund të lihet pa përmendur roli i presidentit të klubit, Ylli Ujka dhe mbështetja e Kompanisë X-ONE, i cili është kthyer në një figurë kyçe për ringritjen dhe forcimin e Besëlidhjes në elitën e sportit shqiptar. Me një menaxhim vizionar dhe mbështetje të vazhdueshme, është ndërtuar një ekip kampion nga themelet, duke investuar tek lojtarët vendorë, afrimet cilësore dhe një staf teknik të përkushtuar.
Besëlidhja e nisi fuqishëm ndeshjen që në periodën e parë, duke shënuar 35-20, dhe nuk e ndali vrullin në asnjë moment. Diferencat u thelluan në çdo pjesë loje, ndërsa Marvin Prodani me 31 pikë e 10 asistime dhe Vinsent Grazhdani me 16 pikë e 16 kërcime udhëhoqën performancën e skuadrës. Grazhdani u shpall edhe MVP i finaleve, falë formës së shkëlqyer përgjatë “play off”-it.
Presidenti i FSHB-së, Avni Ponari, i dorëzoi trofeun kapitenit Julian Hamati, në një ceremoni ku emocionet ishin të forta dhe atmosfera e festës e jashtëzakonshme.
Me një mbështetje të fuqishme nga Bashkia Lezhë dhe veçanërisht nga presidenti Ylli Ujka, Besëlidhja jo vetëm që ka rikthyer krenarinë e qytetit, por është kthyer në një model suksesi për basketbollin shqiptar. Një ekip i ndërtuar për të fituar, që po ndërton një trashëgimi fituese.


