Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në aktivitetin për 100-vjetorin e Prefekturës së Tiranës, ku vlerësoi rolin historik të këtij institucioni në ndërtimin dhe forcimin e administratës shtetërore në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Presidenti theksoi se një shekull ekzistence i Prefekturës përfaqëson një rrugëtim përgjegjësie dhe transformimesh të rëndësishme për shtetin shqiptar, duke e cilësuar atë si një urë lidhëse mes qeverisjes qendrore dhe komuniteteve vendore.
Ai vuri në dukje edhe zhvillimin e Tiranës, e cila sipas tij është shndërruar nga një kryeqytet i vogël në një qendër moderne politike, ekonomike dhe kulturore.
Begaj shprehu mirënjohje për kontributin e punonjësve dhe drejtuesve të Prefekturës ndër vite, duke theksuar rolin e tyre në forcimin e traditës së administratës publike.
Duke folur për zhvillimet aktuale, Presidenti theksoi rëndësinë e respektimit të Kushtetutës dhe të drejtave themelore të qytetarëve, duke nënvizuar se liria e shprehjes dhe pjesëmarrja në jetën publike duhet të ushtrohen në përputhje me ligjin.
“E drejta për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta, e cila duhet të ushtrohet në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, deklaroi ai.
Presidenti shtoi se forcimi i demokracisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm varen nga bashkëpunimi mes qytetarëve dhe institucioneve, si dhe nga respektimi i shtetit të së drejtës dhe interesit publik.
Në përmbyllje, Begaj ritheksoi angazhimin e tij për mbrojtjen e Kushtetutës dhe për nxitjen e dialogut institucional, duke theksuar rëndësinë e rrugës euroatlantike të Shqipërisë.
Ai gjithashtu bëri thirrje për rritjen e cilësisë së shërbimeve publike, duke nënvizuar se “duke rritur cilësinë forcojmë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve”.


