TIRANË– Kryeministri Edi Rama mëngjesin e kësaj të enjteje ka zhvilluar një bashkëbisedim me studentë dhe të rinj, ku u ndal te ecuria e procesit të negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimi Europian.
Shefi i qeverisë në fjalën e tij theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment historik, duke deklaruar se vendi nuk e ka pasur kurrë më parë një mundësi kaq të favorshme për të ardhmen e tij europiane.
Rama theksoi se anëtarësimi në BE nuk është një “rrugë drejt parajsës”, por një rrugë e sigurt drejt një realiteti më të qëndrueshëm dhe më të mbrojtur për shqiptarët.
“Dua t’ju them që kurrë asnjë herë më parë Shqipëria nuk e ka pasur buzëqeshjen e fatit siç e ka sot, kur them sot në këto vitet e fundit. Asnjëherë Shqipërisë nuk i ka buzëqeshur fati në sensin e te ardhmes së mundshme të njerëzve për të qenë të lirë, të barabartë para ligjit dhe për të pasur në dispozicion jo një vend 28 mijë km katror, por një kontinent të tërë si vendas. Është dukur si buzëqeshje fati momenti kur populli shqiptar është çliruar nga pushtuesit, është dukur si momenti i ardhjes së një momenti i ardhjes së një kohë barazie dhe lumturia, dita kur populli shqiptar mori rrugën për të ndërtuar socializmin, por koha tregoi se nuk ishte rruga drejt parajsës, por rruga drejt ferrit. Në këtë rast kjo nuk është rruga drejt parajsës, askush nuk e pretendon këtë. Por është rruga e sigurt drejt një realiteti, kur për herë të parë në historinë e tyre shqiptarët do të jenë më të sigurt dhe më të mbrojtur nga çdo lloj kthese e rrethanave të historisë në dëm të tyre dhe kjo është një gjë shumë e madhe. Po na buzëqesh fati sepse janë bashkuar të gjitha yjet dhe janë vënë resht në mbështetjen e kësaj ëndrre që ka qenë shekullore e shqiptarëve që gjithmonë kanë parë nga perëndimi, por gjithmonë pamja nga perëndimi i është mbyllur.”– tha Rama.
Sipas Ramës, aktualisht Shqipëria ndodhet në një situatë të favorshme edhe për shkak të kontekstit ndërkombëtar. Ai theksoi se, ndonëse vendet e vogla mund të bëjnë detyrat e tyre, vendimmarrja finale varet nga vullneti i vendeve të mëdha.
“Ti mund t’i bësh detyrat e shtëpisë kur je një vend i vogël dhe nëse vendet e mëdha, që vendosin fatet e të vegjëlve, s’e kanë në plan të të marrin në një nivel tjetër, ti nuk e kapërcen dot nivelin. Sot jemi në kushtet kur vendet e BE duan të na marrin me vete.”-tha kryeministri./Radar.al


