Një shtetas shqiptar, i akuzuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal, është ekstraduar nga Zvicra drejt Shqipërisë.
Si rezultat i koordinimit operacional mes Drejtorisë së Interpol Tiranës dhe Interpol Bern, u finalizua procedura e ekstradimit të shtetasit J. K., 37 vjeç, lindur në Shkodër.
GJKKO, me vendimin e datës 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale:
• “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”
• “Grupi i strukturuar kriminal”
• “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), dyshohet se gjatë periudhës dhjetor 2020 – maj 2024, 37-vjeçari ka siguruar kushte dhe mjete materiale për kryerjen e vrasjes së dy vëllezërve D. B. dhe V. B.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe përgjegjësive të tjera të mundshme.


