Fluturimi W95704 i kompanisë Wizz Air, i nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës me destinacion Londrën, ka kryer një ulje emergjente në aeroportin e Baselit, Zvicër, mbrëmjen e djeshme.
Sipas të dhënave të platformës së monitorimit ajror “Flightradar”, avioni ndryshoi itinerarin gjatë fluturimit mbi hapësirën ajrore të Evropës Qendrore dhe u drejtua për në Basel. Të dhënat e gjurmimit tregojnë se, përpara devijimit, avioni ka shënuar një humbje të shpejtë të lartësisë.
Fluturimi ishte planifikuar të nisej nga Tirana në orën 18:50, por u ngrit rreth orës 19:40, me rreth një orë vonesë.

Pas uljes emergjente, kompania Wizz Air reagoi për Skyweb.al, duke sqaruar se devijimi u bë për shkak të një pasagjeri që kishte nevojë për ndihmë mjekësore. Sipas kompanisë, pas përfundimit të procedurave në Basel, fluturimi vijoi normalisht drejt Londrës.


