Një avion i vogël është përplasur me Kullën CITIC në Pekin, rrokaqiellin 109-katësh që dominon horizontin e kryeqytetit kinez, duke shkaktuar një viktimë dhe të paktën 13 të plagosur.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, përplasja ka ndodhur të premten pasdite gjatë orës së pikut, duke bërë që copa xhami dhe mbeturina të bien nga lartësia e madhe në rrugët përreth dhe të shkaktojnë panik në zonë.
Pamjet e incidentit u shpërndanë fillimisht në rrjetet sociale, por u zhdukën brenda pak orësh, ndërsa raportimet për ngjarjen u fshinë nga platformat brenda Kinës. Autoritetet kineze nuk e pranuan menjëherë publikisht incidentin, ndërsa edhe mediat shtetërore nuk e pasqyruan ngjarjen në orët e para.
Më vonë, media e lidhur me qeverinë raportoi se bëhej fjalë për një avion sportiv të lehtë me një motor dhe dy vende, i cili ishte përplasur me një ndërtesë të lartë. Sipas tyre, piloti ishte i vetmi person në bord dhe ka humbur jetën, ndërsa 13 persona të tjerë janë plagosur në vendngjarje.
Ende nuk është e qartë nëse përplasja ishte aksidentale apo e qëllimshme, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet.
Ngjarja ka ngritur gjithashtu pikëpyetje për sigurinë e fluturimeve të avionëve të lehtë në hapësirën ajrore të Pekinit, ku rregullat janë tejet të rrepta dhe fluturimet rekreative kërkojnë miratime të shumta.
Incidenti ka nxjerrë në pah edhe kontrollin e fortë të informacionit në Kinë, ku raportimet për ngjarje të ndjeshme shpesh kufizohen ose fshihen shpejt nga hapësira publike online.


