Një avion pasagjerësh që udhëtonte nga Mbretëria e Bashkuar drejt Egjiptit është detyruar të bëjë një ulje emergjente në ishullin grek të Kretës, për shkak të sjelljes së një pasagjereje 38-vjeçare në gjendje të dehur.
Gruaja, e cila udhëtonte me bashkëshortin dhe fëmijën e saj të vogël, refuzoi të zbatonte urdhrat e ekuipazhit dhe u bë agresive, duke rrezikuar sigurinë e fluturimit. Për këtë arsye, kapiteni vendosi të devijojë rrugën dhe të ulet në aeroportin e Heraklionit.
Në momentin që avioni u ndal, policia greke e arrestoi menjëherë pasagjeren, e cila në vend të mbërrinte për pushime në Egjipt, përfundoi në paraburgim dhe tashmë përballet me akuza për sjellje të rrezikshme në bord.
Dëshmitarë në avion e përshkruan situatën si “kaotike”, ndërsa linjat ajrore paralajmërojnë se incidentet me pasagjerë të dehur janë në rritje, duke shkaktuar vonesa të gjata dhe kosto të mëdha financiare.
Vetëm këtë javë, një fluturim Ryanair nga Londra në Alicante u detyrua të devijonte në Tuluzë pasi një pasagjer tentoi të hapte daljen emergjente, ndërsa një tjetër incident i ngjashëm u shënua muajin e kaluar në një fluturim për në Ibiza.


