Një atentat mafioz mesditën e sotme pranë aeroportit të Rinasit tronditi vendin. Nga breshëria e plumbave u ekzekutua Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, ndërsa i plagosur mbeti Muçi Shaljani (Sheqeri), aktualisht agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Shaljani nuk ishte emër i panjohur për publikun; në vitin 2011, së bashku me të vëllanë, është përplasur fizikisht me deputetin e atëhershëm të Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, gjatë një proteste paqësore të Forumit Rinor të opozitës. Sipas të dhënave të asaj kohe, 28-vjeçari Mustafa Sheqeri u thirr nga vëllai i tij për të shkuar urgjentisht te dyqani, ku ndodhi përplasja. Kur Tahiri i prezantua si deputet, Sheqeri iu përgjigj: “E kujt i ha… se ti je deputet”.
Ngjarja e sotme ndodhi pak minuta pasi Gilmando Dani kishte ardhur nga Barcelona dhe kishte hipur në një Benz të bardhë luksoz, me Shaljanin në timon. Autorët, në një tjetër mjet, dyshohet se i zunë pritë pranë aeroportit dhe qëlluan me breshëri plumbash.
Pas atentatit, makina e përdorur për ekzekutimin u gjet e djegur në fshatin Halil, ndërsa autorët dyshohet se janë larguar me një Toyota Yaris me targa greke drejt Fushë-Krujës.
Policia njofton se ka rrethuar zonën, ka ngritur pika kontrolli dhe po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.


