Atentati i mesditës pranë rrethrrotullimit të Rinasit ka krijuar një skenë të rëndë, me plumba që kanë goditur jo vetëm automjetin e shënjestrave, por edhe fasadat dhe xhamat e hoteleve aty pranë, siç dokumentohet në pamjet e siguruara nga vendngjarja.
Gilmando Dani, 47 vjeç, u vra pak minuta pasi ishte kthyer në Shqipëri nga Barcelona. Burime mediatike konfirmojnë se ai ishte pritur në aeroport nga Muçi Shaljani, i njohur si “Sheqeri”, 40 vjeç, i cili kishte për detyrë ta shoqëronte me makinën e bardhë tip “Benz”.
Vetëm disa qindra metra pasi u larguan nga terminali, autorët dyshohet se i kanë zënë pritë dhe kanë hapur zjarr me breshëri ndaj automjetit. Si pasojë, Dani humbi jetën në vend, ndërsa Shaljani mbeti i plagosur rëndë, me një plagë në kokë, dhe po trajtohet në spital në gjendje kritike.
Ndërkohë, makina e dyshuar e autorëve – një mjet me targa greke – është gjetur e djegur në fshatin Halil të Fushë-Krujës, duke përforcuar pistën e një atentati të mirëorganizuar me skemë të pastër ekzekutimi.
Grupi hetimor dhe forcat e policisë po vijojnë punën për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të dinamikës së sulmit.


