Një 35-vjeçar shqiptar është arrestuar në Arezzo, i dyshuar për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike. Operacioni u krye nga hetuesit e Policisë së qytetit, në kuadër të një hetimi mbi trafikun e drogës.
Gjatë mbikëqyrjes, oficerët vunë re një makinë që lëvizte në mënyrë të dyshimtë në qendër të Arezzos. Shoferi, i skeduar më parë për vepra të ngjashme, u ndoq nga policia. Mjeti u drejtua fillimisht drejt një shtëpie në zonën Cortona-Camucia, përpara se të kthehej në një zonë të izoluar jashtë qytetit.
Arrestimi u krye në flagrancë, teksa shqiptari po shiste 0.8 gramë kokainë tek një klient italian, 45-vjeçar, i cili pranoi se e kishte blerë për përdorim personal. Gjatë kontrollit personal, i dyshuari mbante edhe 0.8 gramë kokainë dhe 1,000 euro para të gatshme, të cilat besohet se ishin të ardhura nga aktiviteti kriminal i ditës.

Pas arrestimit, policia kreu bastisje në banesën e tij, ku u gjetën rreth 220 gramë kokainë të pastër të vendosura brenda një zgavre, peshore precize, materiale për paketimin e drogës dhe 3,000 euro të tjera. I gjithë materiali u sekuestrua menjëherë dhe i dyshuari u dërgua në paraburgim, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.


