Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka arrestuar në flagrancë punonjësin e policisë, Inspektor D. G., me detyrë Trupë Shërbimi pranë Njësisë së Ceremonialit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprat penale “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, të parashikuara nga nenet 291 dhe 273 të Kodit Penal.
Sipas njoftimit zyrtar, mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:25, në zonën e njohur si “Rruga e Dibrës”, ai është përfshirë në një aksident rrugor, ku ka mbetur e dëmtuar shtetasja E. M., e cila u transportua në Spitalin e Traumës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas aksidentit, punonjësi i policisë është larguar nga vendngjarja, por është kapur më pas në afërsi të Urës së Babrrusë. Testi i alkoolit ka rezultuar pozitiv në masën 1.03 mg/l.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore deklaron se mbetet e angazhuar në garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje nga punonjësit e strukturave ligjzbatuese.


