Deputeti i PD Gent Strazimiri i drejtoi kreut të SPAK, Klodian Brahos, pyetjen nëse Prokuroria e Posaçme mban përgjegjësi për arrestimin e personave, që pas një procesi të gjatë gjyqësor shpallen të pafajshëm. Braho u shpreh se prokurorët mbajnë përgjegjësi dhe se puna e tyre kontrollet në instanca më të larta.
Pjesë nga debati te komisioni i Ligjeve
Strazimiri: Nuk futen njerëzit kështu në burg dhe në fund dalin të pafajshëm. Ka njerëz që janë mbajtur për vite të tëra dhe janë shpallur të pafajshëm nga gjykata.
Braho: Edhe pafajësia është e parashikuar në ligj. Kur prokurori ngre akuzë jo domosdoshmërisht përkthehet në vendim. KLP vlerëson prokurorin, dhe ILD.
Strazimiri: Ju keni kryer operacione korrupsioni që kanë gëzuar popullin, por vendimet e gjykatave kanë qenë për shembull punë në komunitet, dhe dënime qesharake.
Braho: Është një perceptim i gabuar që prokurori nuk mban përgjegjësi. Prokurori është një ndër funksionarët më të kontrolluar në punën e tij. Në parim, edhe pafajësia është një zgjidhje e parashikuar në ligj. Ndodh që prokurori ngre një akuzë, por kjo nuk përkthehet automatikisht në një vendim fajësie.
Rezultatet e punës janë objekt i vlerësimit të prokurorit nga KLP-ja, si edhe objekt i verifikimeve dhe procedimeve disiplinore që kryen ILD-ja. Pafajësia apo shkelje të tjera nuk do të thotë se automatikisht ka gabuar vetëm prokurori; kjo mund të vijë edhe nga gjyqtari. Gjyqtari nuk është noter për të noterizuar kërkesat e palëve. Unë nuk shkoj të debatoj me gjyqtarin për një çështje se pse e liroi një person, por ka mjete të tjera gjyqësore për ta kundërshtuar atë vendim.


