Autoritetet italiane kanë arrestuar dy shtetas shqiptarë nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike, pas zbulimit të një apartamenti që ishte përshtatur si bazë për magazinimin dhe shpërndarjen e drogës.
Sipas mediave italiane, hetimi nisi pasi policia ndaloi për kontroll një automjet me qira që drejtohej nga njëri prej shqiptarëve. Sjellja e dyshimtë dhe nervozizmi i tepruar i drejtuesit të mjetit ngritën dyshime tek efektivët, të cilët vendosën të kryenin kontroll më të detajuar.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia gjeti dhe sekuestroi 11 doza kokaine, si edhe rreth 400 euro cash, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti kriminal.
Më pas, kontrollet vijuan në banesën ku qëndronin dy të rinjtë shqiptarë. Sipas raportimeve, aty u zbulua një qendër e mirëorganizuar për ruajtjen, paketimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Policia italiane sekuestroi 270 gram kokainë të ndarë në doza dhe pjesërisht të paketuar me vakum, 40,120 euro para cash, që dyshohet se vinin nga shitja e drogës, tre axhenda ku ishin shënuar transaksione dhe llogari të aktivitetit të paligjshëm, materiale paketimi, një pajisje për paketim me vakum, si dhe dy peshore elektronike precize.
Kontrollet u zgjeruan edhe në automjete të tjera që ndodheshin pranë banesës dhe që rezultonin në përdorim nga të arrestuarit, ku u gjetën sasi të tjera droge.
Dy shqiptarët janë arrestuar dhe janë vendosur në dispozicion të autoriteteve italiane, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në rrjetin e trafikut të narkotikëve.


