Europa po përballet me një krizë në rritje të shëndetit mendor. Sipas raportit më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), 17% e popullsisë në kontinent, përfshirë edhe Shqipërinë, vuajnë nga çrregullime të ndryshme mendore si ankthi, depresioni dhe çrregullimet e humorit.
Ekspertët paralajmërojnë se ndjenja e vetmisë godet veçanërisht dy grupe vulnerabël: të moshuarit mbi 60 vjeç, ku 1 në 4 ndihen të vetmuar, dhe vajzat adoleshente me probleme të ngjashme.
Në të njëjtën kohë, shqetësuese mbetet mungesa e trajtimit për 1 në 3 persona me çrregullime mendore dhe 1 në 4 persona me psikozë, për shkak të mungesës së specialistëve të shëndetit mendor.
OBSH nënvizon se problemet psikike janë shkaku kryesor i vetëvrasjeve në grupmoshën 15-29 vjeç, ku çdo ditë humbin jetën rreth 400 të rinj.
Në këtë situatë alarmante, ekspertët kërkojnë urgjentisht që shëndeti mendor të bëhet prioritet kombëtar, me përfshirjen e qeverive, institucioneve shëndetësore dhe gjithë aktorëve të tjerë për të ulur këto shifra tronditëse.


