Numri i përdoruesve të drogës në Shqipëri ka arritur në rreth 80 mijë, por sipas ekspertëve realiteti është edhe më shqetësues, pasi shifra mund të jetë më e lartë. Mjekët tërheqin vëmendjen për shtimin e rasteve gjatë verës, sidomos në fundjavë dhe gjatë pushimeve, kur abuzimi me substanca shpesh shoqërohet edhe me alkool.
Shefi i shërbimit të toksikologjisë në QSUT, Dr. Andrin Tahiri, thotë se problematikat shëndetësore që paraqiten janë nga më të lehtat, si çrregullimet e ritmit, deri tek rastet e rënda me arrest kardiak. Ai thekson se shumë të rinj përdorin lëndë narkotike për të “ikur nga realiteti”, duke iu shmangur stresit apo problemeve personale.
Edhe pse ndihma e parë mjekësore ofrohet, zinxhiri i trajtimit ndërpritet për shkak të mungesës së një qendre publike rehabilitimi. “Në Shqipëri nuk ekziston asnjë qendër shtetërore për rehabilitimin e përdoruesve,” deklaron mjeku.
Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Drogës, ai përcjell një mesazh të drejtpërdrejtë: “Droga nuk është guxim dhe as liri – ajo ju shkatërron jetën dhe familjen.”


