Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e së dielës në Itali, ku një 48-vjeçar shqiptar ka shkaktuar alarm pasi spërkati apartamentin e tij me benzinë dhe kërcënoi se do t’i vinte flakën vetes.
Sipas mediave italiane, incidenti ndodhi pas një mosmarrëveshjeje familjare, e cila dyshohet se e shtyu burrin drejt këtij veprimi ekstrem.
Alarmi u dha rreth orës 22:30, ndërsa në vendngjarje mbërritën menjëherë forcat e zjarrfikësve dhe karabinierët në zonën e Corso Vercelli. Për shkak të rrezikut të lartë, autoritetet nisën një operacion të koordinuar për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Negociatorët e karabinierëve zhvilluan bisedime për disa orë me 48-vjeçarin, duke arritur më në fund ta bindnin të hiqte dorë nga veprimi që kishte paralajmëruar.
Pas përfundimit të ndërhyrjes, shqiptari u transportua në spital, ku po merr ndihmë të specializuar mjekësore dhe psikologjike.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe motivet që çuan 48-vjeçarin drejt këtij akti.


