Në Shtetet e Bashkuara janë zbuluar detaje të reja nga padia ndaj Priscilla Presley, e cila akuzohet për fshehje të bizhuterive dhe kujtimeve të rralla të Elvis Presley-t, me vlerë mbi 25 milionë dollarë, për të shmangur pagesën e taksave.
Sipas dokumenteve të dorëzuara në Gjykatën e Lartë të Los Anxhelosit, ish-partnerët e biznesit të saj, Brigitte Kruse dhe Kevin Fialko, pretendojnë se 80-vjeçarja ka shkelur kontratat, ka kryer mashtrime dhe ka tentuar të marrë nën kontroll fondacionin dhe pasurinë familjare të Presley-ve, përfshirë edhe pronën ikonike “Graceland”.

Padia kërkon një dëmshpërblim prej të paktën 50 milionë dollarësh, ndërsa akuzon Priscillën se ka përjashtuar qëllimisht vajzën e saj, Lisa Marie Presley, nga e drejta trashëgimore e pasurisë së Elvisit.
Një pjesë e dokumenteve përfshin edhe pretendime të rënda lidhur me momentin tragjik të janarit 2023, kur Lisa Marie pësoi arrest kardiak. Sipas padisë, Priscilla ka kërkuar që aparatet që e mbanin në jetë vajzën të fikeshin vetëm pak orë pas shtrimit në spital, diçka që ka ngjallur reagime të forta publike.

Akuzat përfshijnë gjithashtu fshehjen e një koleksioni luksoz bizhuterish, që mendohet të jetë ruajtur në një vend sekret dhe të mos jetë deklaruar në dokumentet tatimore. Në formularët e paraqitur në maj 2023, Presley raportohet se ka deklaruar vetëm 6 mijë dollarë në bizhuteri, shumë më pak se vlera e vërtetë, që arrin në 21.6 milionë euro.
Nga ana tjetër, avokati i Priscilla Presley, Marty Singer, i ka mohuar të gjitha akuzat, duke i cilësuar si “absurde dhe dashakeqe”.
“Kjo është një përpjekje për të njollosur reputacionin e një gruaje 80-vjeçare”, ka deklaruar ai, duke theksuar se paditësit janë vetë nën hetim për përvetësim fondesh dhe mashtrim ndaj klientes së tij.


