Një aksident i trefishtë me pasoja serioze është regjistruar pasditen e sotme në Elbasan, ku pesë persona kanë mbetur të plagosur. Ngjarja ndodhi rreth orës 17:20, në lagjen “Dyli Haxhire”, në vendin e njohur si “Ura e Zaranikës”.
Sipas informacioneve zyrtare nga policia, në aksident u përfshinë tre automjete, të drejtuara nga shtetasit D. Z., I. A. dhe E. L. Të tre drejtuesit, si dhe dy pasagjerë që ndodheshin në mjetin e drejtuar nga I. A., kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar në spital për ndihmë mjekësore.
Njëri prej të plagosurve, një 30-vjeçar, është në gjendje kritike për jetën, pasi ka pësuar trauma të rënda në kokë dhe është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.


