Vazhdojnë të dalin në dritë detaje tronditëse nga vrasja makabre e shqiptarja Gentiana Hudhra, 45 vjeçe, e cila u ther për vdekje me thikë nga ish-bashkëshorti i saj, Nikollaq Hudhra, në një park në Tolentino, Itali.
Gentiana, me mbiemrin e vajzërisë Kopili, kishte denoncuar më herët dhunën e ushtruar ndaj saj. Në vitin 2021, ajo kishte raportuar në polici dy raste dhune nga Nikollaq Hudhra, 55 vjeç. Megjithatë, hetimet ndaj tij u mbyllën nga prokuroria e Maceratas në fund të atij viti. Çifti, që kishte qenë i martuar për 20 vite, u divorcua zyrtarisht në janar 2022.
Avokati i Gentianës, Guglielmo De Luca, ka zbuluar për mediat se ish-bashkëshorti vuante nga ide të fiksuara paranojake, duke dyshuar se ajo donte ta helmonte. “Në frigorifer kishte vënë zinxhir nga frika se ajo do helmonte ushqimin. E mbante të izoluar në një dhomë të vogël me divan, ndërkohë që i kisha rekomanduar largimin urgjent për sigurinë e saj, por ajo hezitonte për shkak të fëmijëve,” u shpreh avokati.
Edhe vëllai i viktimës, Artur Kopili, i cili udhëtoi nga Shqipëria pas ngjarjes, konfirmoi se familja ishte në dijeni të problemeve, por pavarësisht denoncimeve, autoritetet nuk kishin ndërhyrë: “Të gjithë e dinin këtë situatë, por askush nuk veproi.”
Çifti jetonte prej vitesh në Itali me dy djemtë e tyre, Mario dhe Samuel, sot 21 dhe 23 vjeç. Pas ndarjes, Nikollaqi ishte shpërngulur në Passignano sul Trasimeno, ku punonte në një fermë, ku, sipas punëdhënësve, ishte një punonjës i saktë, por kohët e fundit kishte shfaqur sjellje të çuditshme.
Si ndodhi vrasja?
Ngjarja ndodhi të shtunën, më 14 qershor, rreth orës 20:00. Nikollaq Hudhra iu afrua ish-gruas me një monopatinë elektrike dhe e sulmoi me thikë kuzhine me teh rreth 18 cm të gjatë, duke i shkaktuar rreth 10 plagë vdekjeprurëse. Pas sulmit, ai qëndroi ulur në një stol pranë trupit të pajetë, ku u arrestua nga karabinierët.
Gjatë marrjes në pyetje, Nikollaqi ka pranuar vrasjen dhe ka rrëfyer se më parë kishte tentuar dy herë të vriste ish-gruan. Ai ndodhet aktualisht në izolim në burgun Montacuto të Ankonës dhe akuzohet për vrasje me paramendim. Hetuesit vijojnë të analizojnë motivet e plota të krimit.
Ndërkohë, për të përcaktuar numrin e saktë të plagëve dhe plagën fatale, mjekësia ligjore, nën drejtimin e doktor Antonio Tombolini, pritet të kryejë autopsinë.


