TEHERAN– Një ceremoni varrimi ka filluar të enjten në Teheran për Ismail Haniyeh, liderin politik të grupit ekstremist palestinez të mbështetur nga Irani, Hamas, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Irani ka thënë se Haniyeh, 62 vjeç, u vra më 31 korrik në Teheran nga një sulm ajror, për të cilin e ka akuzuar Izraelin. Ky sulm ka ngjallur frikë për një luftë të gjerë në Lindjen e Mesme.
Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, i udhëhoqi lutjet për Haniyehun, ndërsa në qendër të Teheranit u mblodhën turma njerëzish duke bartur në duar portrete të Haniyehut dhe flamuj palestinezë. Haniyeh pritet të varroset të enjten vonë në kryeqytetin e Katarit, Doha. Khamenei ka kërcënuar me “ndëshkim të ashpër” për vrasjen e Haniyehut. Muza Abu Marzuk, anëtar i zyrës politike të Hamasit, është zotuar për hakmarrje gjithashtu.


