Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, ka komentuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të pjesshme në disa bashki të vendit gjatë vjeshtës, përfshirë edhe Bashkinë e Tiranës.
Në një intervistë për televizionin Klan, Gjiknuri theksoi se PS është gjithmonë e gatshme për të hyrë në garë, sapo të dekretohen datat zyrtare të zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës.
“Nuk di ta them. Partia Socialiste do të jetë gati sa herë do dekretohen data zgjedhjesh në çdo territor të bashkive,” u shpreh ai, kur u pyet konkretisht për mundësinë e zgjedhjeve në Bashkinë e Tiranës.
Aktualisht pritet që në vjeshtë të zhvillohen zgjedhje të pjesshme në bashkitë e Beratit, Tepelenës dhe Matit, por ende nuk ka një vendim për Tiranën, teksa kryebashkiaku Erion Veliaj ndodhet në burg prej disa muajsh.


