Reshjet e dendura të shiut gjatë së shtunës kanë sjellë probleme në disa qytete të vendit, si Durrës, apo Bulqizë.
Raportohet se disa banorë që jetojnë në sektorin “Iliria” të Plazhit të Durrësit janë të bllokuar brenda banesave.
Ata ankohen se nuk dalin dot sepse ujërat kanë pushtuar sheshin para pallateve të banimit.
Qytetarët i janë drejtuar mediave dhe kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve vendore.
Një banore është shprehur për gazetaren e Top Channel se prej dy ditësh ka mbetur e bllokuar në shtëpi për shkak të ujit dhe ky fenomen sipas saj, përsëritet sa herë bie shi.
“Kemi 2 ditë që nuk dalim dot nga shtëpia. Jemi në plazh, Durrës, te Iliria. Ju lutem na ndihmoni! Ky fenomen përsëritet sa herë bie shi”-shprehet banorja.
Sakaq, në qytetin e Bulqizës gazetari i Balkanweb raporton se rruga që lidh dy lagjet e këtij qyteti është përmbytur nga uji duke shkaktuar probleme në lëvizjen e automjeteve dhe këmbësorëve.
Zona e përmbytur është shumë e frekuentuar për shkak se aty ndodhet edhe terminali i mjeteve të transportit publik ndërqytetas.
Në disa raste është dashur ndërhyrja e policisë për të kaluar këmbësorët nga njëra anë në tjetrën për shkak të nivelit të lartë të ujit që kishte mbushur rrugën dhe trotuaret.
Vetë qytetarët shprehen se kjo situatë është e përsëritur pasi kanalet ujëmbledhëse që nga Qafa e Buallit nuk funksionojnë siç duhet duke bërë që uji të mblidhet në këtë zonë duke përmbytur jo vetëm rrugën por edhe bizneset përreth.
Kjo situatë në qytetin e minatorëve është e përsëritur dhe se autoritetet vendore nuk e kanë zgjidhur si problem megjithëse janë shpenzuar dhjetëra miliona lekë për kanalin që kalon mes dy lagjeve të qytetit.


