Policia e Tiranës konfirmoi se nga ekzekutimi mafioz me armë zjarri sot rreth orës 15:30, në një lokal në Ndroq, është vrarë me armë zjarri shtetasi A. D., rreth 50 vjeç. Radar.al raportoi se viktima sipas burimeve është identifikuar Alfred Dedja.
Blutë thanë se vrasja ka ndodhur në rrethana ende të paqarta. Por autori është identifikuar nga shërbimet e Policisë dhe një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë rrethanave të ngjarjes, dokumentimin e plotë ligjor të saj dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Burimet thanë se autori i vrasjes, ka qenë në këmbë, pasi ka qëlluar Alfred Dedjan është larguar me një ‘Benz’ të zi.
Rrethanat e ekzekutimit janë ende të paqarta. Megjithatë, raportime të tjera nga terreni tregojnë se ngjarja ka ndodhur brenda në lokal ku viktima ka qenë duke pirë kafe.
Dyshohet se një person është afruar nga jashtë, ka hyrë brenda dhe ka qëlluar mbi viktimën.
Paraprakisht u raportua nga dëshmitarët okulare se ka qenë një person në lëvizje në këmbë që ka qëlluar viktimën dhe më pas është larguar me një automjet tip “Benz ML”, me ngjyrë të zezë.


