Ish gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu, e cila ka rënë në prangat e Policisë, pas hetimeve të SPAK që kanë zbërthyer rolin e saj ndaj organizatës kriminale të Suel Çelës, është mësuar se kishte kërkuar edhe eleminimin fizik të avokatit Arben Llangozi.
Referuar përgjimeve të bëra rezulton se kjo e fundit kërkoi nga anëtarë të grupit kriminal zhdukjen e avokatit, pasi e shihte si rrezik të madh e si personin kyç që jepte informacion për aferat e saj.
Sakaq, avokati Arben Llangozi ka folur sot në media duke zbuluar se ishte njohur pak kohë më parë me këto përgjime.
Ai shtoi se nuk ka pasur kërcënime, por se pak javë më parë ka pasur dyshime se një person i ka ndjekur djalin në shkollë.
“Unë rashë në dijeni të këtij fakti përmes vendimit që ishte marrë për gazetarin dhe aty pashë dhe përgjimet që kishin të bënin me mua. Gjyqtarja kishte komunikuar me personazhe të ndryshme të botës së krimit ku kërkonte të hakmerrej sepse sipas saj unë kisha dhënë informacion një emisioni për t’i sjellë probleme saj, dhe pezullimi i saj nga detyra kishte ardhur prej tyre.
Në atë kohë nuk është se kam pasur problematika, por pak kohë më parë kam pasur disa dyshime që kanë të bëjnë me fëmijën tim që sipas personit që e shoqëron në shkollë, një person e ndiqte, e kam denoncuar dhe jemi në kuadër verifikimesh.
Jam njoftuar nga zoti Dumani dhe jam vënë në dijeni të këtij fakti për përgjime në fjalë. Na kanë thënë që mund të publikohen këto përgjime, por nuk duhet të shqetësoheni se drejtësia ka bërë tashmë punën e saj”, u shpreh avokati Llangozi.


