TIRANË– Sot ka qenë prezent në Komisionin e Sigurisë, Kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ku në seancën dëgjimore për buxhetin e vitit 2025 ka treguar sesi do të përdoren paratë që do t’i alokohen institucionit që ai drejton.
“Rritja e operacioneve të hetuara dhe shërbimeve dhe operacioneve të posaçme. Synohet gjithashtu ulja e numrit të aksidenteve në rrugë dhe ulja e aksidentet me pasojë vdekjen. Rritja e operacioneve të forcave speciale për kapjen e autorëve të veprave penale të rënda kriminale dhe reduktimi i kohës së reagimit ndaj krimit të dhunës familje në 13 minuta. Rritja e numrit të hetimeve proaktive në fushën e krimeve, korrupsionit dhe veprave penale të kryera gjatë ushtrimit të detyrës.Rritja e hetimeve proaktive pas pastrimin e produkteve të veprës penale dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale si vrasja etj. Rritjen e hetimeve proaktive ndaj personave me tendencë terroriste. Rritja e numrin të punonjësve të policisë dhe pajisje të IT me standarde teknologjike. Ulja e rasteve të trafikut të lëndëve narkotike në kufi. Buxheti i parashikuar për vitin 2025 është me rritje dhe garantohet mbështetja financiare për krijimin e kushteve për strukturat e policisë së shtetit”, tha Proda.
Ndër të tjera ai ka folur dhe për fonde shtesë, ku ndër të tjera kërkoi financim për 700 mjete të reja.
“Me rëndësi shumë të madhe do të ishte dhe financimi i flotës së mjeteve sepse ne aktualisht përdorim me qira, të cilat kanë një kosto shumë të madhe dhe do të ishte me rentabël që këto mjete të ishin në pronësi të Policisë së Shtetit. Aktualisht, 50% e flotës është e amortizuar. Kemi nevojë për 700 mjete që mendojmë se i plotësojnë nevojat tona dhe do të ishte e udhës të shikoj mundësia për ta financuar.”- tha Proda./Radar.al


